Telegrafi

Filipçe: E fituam betejën e parë me coronavirusin, kthimi në normalitet do të bëhet gradualisht

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoni Venko Filipçe, përmes një postimi në Facebook thotë se është fituar beteja e parë me coronavirusin.

Ai bën thirrje për respektim të mëtejshëm të masave për mbrojtje, ndërsa shton se kthimi në normalitet do të bëhet në mënyrë graduale, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kthimi në jetën normale do të bëhet gradualisht dhe me kujdes. Që të ndihmojmë në periudhën e ardhshme, të gjithë duhet t’i respektojmë tre rregulla: larje e shpeshtë dhe dezinfektim të duarve, mbajtje të distancës prej së paku 2 metrave dhe mbajtje të pajisjeve mbrojtëse”.

“E kemi fituar betejën e parë me coronavirusin. Vetëm nëse jemi të ndërgjegjshëm do të arrijmë ta mbajmë situatën nën kontroll”, ka shkruar Filipçe.

Ndryshe, ditëve të fundit numri i të infektuarve është më i vogël se numri i të shëruarve. Ndërsa për momentin numri i rasteve aktive është 427./Telegrafi/