Site icon Telegrafi

Filipçe dhe Shkrielj: Janë zgjidhur 8500 lëndë për ndihmë dhe kujdes nga personi tjetër

“Komisionet e reja për ndihmë dhe kujdes nga personi tjetër janë formuar në kuadër të institucioneve publike për mbrojtje shëndetësore, funksionojnë pa pengesë dhe deri tani janë zgjidhur 8500 lëndë”.

Kështu thonë nga qeveria përmes një kumtese të përbashkët të ministres për Punë dhe Politikë Sociale, Sanella Shkrielj dhe ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me Ligjin e ri për mbrojtje sociale e hoqi Komisionin i cili vendoste në shkallë të parë për të drejtën për ndihmë dhe kujdes nga personi tjetër. Ai ishte jofunksional dhe koha e zgjidhjes së lëndëve ishte 3 deri 4 muaj. Që të shkurtohet koha e zgjidhjes dhe të përmirësohet cilësia dhe profesionalizmi në zgjidhjen e lëndëve, me Ligjin e ri për mbrojtje sociale nevojën për ndihmë dhe kujdes nga personi tjetër e përcaktojnë komisionet profesionale të formuara në institucionet shëndetësore publike”, thuhet në kumtesën e përbashkët.

Janë formuar 15 komisione, pesë prej të cilave në Shkup, në përbërje të tre mjekëve specialistë apo subspecialistë nga sferat në vijim: mjekësi interne, neurologji, psikiatri, mjekësi fizikale dhe rehabilitim, ortopedi apo oftalmologji, si dhe se komisionet i zgjidhën lëndët në afatin që iu ishte dhënë për veprim, 1 shkurt.

Më tej në kumtesë thuhet se prioritet i qeverisë është interesi i qytetarëve dhe në të ardhmen do të mundësojmë realizim të papengueshëm të të drejtave nga mbrojtja sociale dhe sigurim i shërbimeve cilësore sociale./Telegrafi/

Exit mobile version