Telegrafi

Filigrani një ndër artizanatet më të vjetra të Prizrenit

Nën moton “Ta ruajmë traditën” tash e shtatë dekada, punëtoria “Filigrani” në zemrën e qytetit në Prizren ka arritur të mbaj gjallë një ndër artizanatet më të vjetra prizrenase.

Me anë të një teknike të ndërlikuar të punimit të argjendit dhe arit, filigranistët me një mjeshtëri të rrallë dhe përkushtim krijojnë unaza, brosh dhe objekte dekorative.

Filigranisti Bashkim Tejeci thotë se interesimi i ndërkombëtarëve për filigran është më i madh se i vendorëve.

Tejeci, njëherësh, kryetar i punëtorisë “Filigrani” në Prizren thotë se në këtë punëtori e themeluar si korporatë që nga viti 1947 me mbi 150 punëtore, 80 për qind e stolive ishin të punuar nga ari, e ku punimet e kësaj korporate arritën të depërtonin deri tek liderët botërorë.

Tejeci tregon për Telegrafin përvojën e tij 45 vjeçare në zejen e filigranit, ku shokët e lagjes ishin bërë ‘sebep’ që ai të nisë këtë profesion qysh në moshën 14 vjeçare për t’iu përkushtuar zejes së filigranit.

‘’Unë kam lind me një lagje ku pjesa dërrmuese e shokëve të mi, familjarët e tyre e kanë punuar këtë zeje se përndryshe prindi im ka qenë bukëpjekës nuk ka pas të bëjë me argjendarinë. Por, kur ishte sezoni i punës krejt shkonin me punu e unë u ndjesha i anashkalun, se filigrani ka qenë ekonomi familjare, i madh e i vogël janë organizu me i shit punimet në bregdete në tregun e ish -Jugosllavisë dhe aty fillova me shku bashkë me shokët e me ‘vjedh’ zanatin’”, thotë ai për Telegrafin.

Filigranistët kanë punuar shumë gjëra me vlerë artistike edhe për figura të rëndësishme e të shquara.

“Ne si filigran kemi punu shumë gjëra me vlerë artistike, du me cek ne kemi punu brosh prej duarve tona për tashmë të ndjerën Madeleine Albright, kemi punu ato vazot që janë të ndarë për kthimin e të shpërngulurve ‘Hasan Prishtina’ ku të gjitha punimet kanë qenë nga dora jonë”, thotë ai.

Por, për zanatin e filigranit, interesimi më i madh vjen nga të huajt se nga vetë vendorët.

“Perëndimorët janë më të interesuar se vendorët. Këtu tek ne çdoherë jo vlera po vlerësohet kurse vlera po lihet anash kështu që ne kemi pas vizita ndërkombëtare çdo javë, sidomos kemi bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Amerikane dhe ambasadat e tjera ku gjatë festave të fundvitit na ftojnë atje që me i shit simbolikën e filigranit dhe njëkohësisht përfaqësojmë qytetin e Prizrenit”, ka shtuar ai.

Tejeci tutje thotë se filigrani ka qenë dhe mbetet motoja e çdo turisti.

“Filigrani ka qenë moto e çdo turisti flas për vitet e kaluara, nëse vjen në Prizren me pas nga një prodhim të filigranit ato prodhime i kemi pas ne”.

Tejeci shpjegon tutje se për të ruajtur traditën e kësaj zeje tash e disa vite radhazi mbajnë dhe kurse të cilat inkurajojnë të rinjtë të marrin pjesë, si dhe mbajnë kurse në kuadër të organizatave të ndryshme për të zhvilluar këtë zanat.

“Tash e disa vite ne mbajmë kurse, sponsor i kurseve është kryetari i komunës dhe Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik ku në bashkëpunim me ta e hapim konkursin, kursi zgjat 8 muaj pastaj certifikohen për të vazhduar më tutje.

Përpos këtyre kurseve ne jemi aktiv edhe në disa kurse ku vitin e kaluar kemi qenë të angazhuar në burgun e Lipjanit ku për një vit radhazi kemi trajnuar të burgosurat ku trajnimi ka qenë shumë i suksesshëm dhe kanë dalë filigraniste fenomenale”, ka përfunduar ai.

Synimi kryesor i punëtorisë “Filigrani” është që tradita e kësaj zeje të mos shuhet dhe të bartet brez pas brezi. /Majlinda Bytyqi/Telegrafi/