Telegrafi

Filarmonia – Opera e Kosovës me Gala Koncert për Vitin e Ri

Kësaj radhe si asnjëherë tjetër përpara publikut do të prezantohet një numër i madh i solistëve, përkatësisht 18 sosh.

Koncerti do të udhëhiqet nga dirigjenti maqedonas Tomislav Shopov. Ai ka thënë se Kosova ka shumë zëra të bukur dhe talente të mëdhenj, andaj duhet vazhduar që iniciativa të tilla për promovimin e tyre të jenë edhe më të shpeshta.

“Unë punoj si pedagog në Fakultetin e Arteve në lëndët studio operistike dhe dirigjim. Po ashtu bashkëpunoj edhe me Filarmoninë e Kosovës. Kjo është hera e dytë që organizojmë një koncert të tillë. Mendoj se publiku do ta pranojë mirë koncertin dhe them se me të vërtetë Kosova ka shumë zëra të bukur, të cilët duhet vazhduar të mbështeten dhe përkrahen”, ka thënë Shopov.

Solistët mirëpresin gjithmonë një koncert të tillë, sepse kjo sipas tyre është një mundësi e rrallë që u vihet në dispozicion.

Ky koncert i Filarmonisë është i 18-i me radhë i organizuar gjatë vitit 2008, duke mos përfshirë edhe paraqitjet protokollare nëpër festa të ndryshme. Koncerti i së dielës do të fillojë në orën 20:00, ndërsa hyrja është pa pagesë. /ktv/