Luis Figo është kthyer të flas për eksperiencën e tij te klubi italian, Interi, ku thotë se ka pasur kohë të mirë atje, por edhe momente negative.
Ish-ylli portugez e ka festuar ditëlindjen e tij të 46-të dhe ka qenë i ftuar në media italiane për të folur për kohën e tij te Interi.
Ai ka dhënë edhe një intervistë, ku ka zbuluar detaje mbi transferimin e tij në Serinë A, kur iu bashkua Interit në verën e vitit 2005, teksa ka folur edhe për drejtuesit e asaj kohe të Interit, drejtuesit e tanishëm dhe miqtë më të mirë.
“Moratti më bindi të pranoja ofertën e Interit. Ai mbetet edhe sot si baba për mua dhe bëra shumë mirë që pranova ofertën, pasi te Real Madridi nuk po kalojë momente të mira”, ka thënë fillimisht Figo për DAZN.
“Por, nuk ka qenë gjithçka lule dhe trëndafila, pasi kam pasur edhe unë problemet e mia. Mancini, ka qenë ai që më ka vendosur më shumë në siklet, më ka turpëruar gjatë kësaj eksperience te Interi”.
“Ai [Mancini] tashmë ka një rol të rëndësishëm në futbollin italian dhe i uroj gjithë të mirat. Nuk ka më mbetur hatri, pasi ka kaluar çdo gjë”.
“Miqtë e mi më të mirë janë Zanetti dhe Ibrahimovic, edhe pse për këtë të fundit më vjen keq që nuk e fitoi asnjëherë Ligën e Kampionëve apo ndonjë trofe individual”.
“Sa i përket Interit, drejtimi i Suning deri tani është një ‘e panjohur’, por shpresoj që të investojnë për të krijuar një shoqëri të fortë, siç e kërkon tradita dhe historia e këtij klubi”, përfundoi ish-ylli portugez. /Telegrafi/