Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Besart Berisha ishte këtë fundjavë në fokusin e FIFA-s.
Qeveria e futbollit botëror i kushtoi një reportazh special rrugëtimit të tij dhe hapave të parë në karrierë, që nga lufta në Kosovë, emigrimi në Berlin e deri te shkëlqimi në kampionatin australian.
Futbolli i ofroi Besartit një shpëtim për jetën, dhe tani në rangjet më të larta, sulmuesi që ka luajtur më parë dhe me kombëtaren shqiptare ripërshkroi trajektoren e tij që në nivelet më të ulëta.
“Jam ndoshta humbësi më i keq dhe kjo sepse dua të arrij dhe të fitoj diçka. U gëzuam shumë kur përfunduam në Berlin pasi gjetëm një fat më të mirë, me punë dhe gjithçka. Gjetëm jetën tonë. I dedikohem gjithçka futbollit pasi më ndryshoi dhe më dha atë që ëndërroja”, thotë sulmuesi.
Dëmtimet e kushtëzuan disi paraqitjen e Besart Berishës në Gjermani, Danimarkë dhe Angli, por sulmuesi po përjeton momentet më të mira në Australi.
“Jam i lumtur që tifozët më duan. Kam thyer rekorde të vendosura më parë me golat e mi dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Tifozët më motivojnë të përmirësohem çdo ndeshje”, shtoi ai. /TCh/