FIFA të mërkurën ka publikuar agjendën e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të saj, që mbahet në Zurich të Zvicrës. Agjenda përmban 32 pika, por në asnjërën prej tyre nuk përmendet Kosova.
“Ne kemi premtuar se në mbledhjen e ardhshme që mbahet në mars të merren masa për të ndryshuar këtë gjendje”, kishte thënë Blatter për ‘albinfo.ch’.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës vlerësojnë se Blatter do të mbajë fjalën dhe në mbledhjen e 20 e 21 marsit do të diskutojë për çështjen e futbollit të Kosovës.
“Blatteri ka premtuar se do të diskutohet për Kosovën dhe ne presim që kjo të ndodhë. Ai këtë premtim e ka dhënë edhe në letrën që ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës. Edhe pse nuk është në agjendë, ka mundësi të diskutohet për njërën prej pikave që janë pjesë e agjendës”, ka thënë zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, për Kohën Ditore. /Telegrafi/