Telegrafi

FIFA po konsideron mundësinë për t’i dhënë më shumë ‘pushtet’ sistemit VAR

VAR mund të marrë edhe më shumë përgjegjësi gjatë ndeshjeve të futbollit, duke përfshirë vendimet për goditje dënimi, rivënie këndore dhe për kartona të dytë të verdhë.

Një grup ekspertësh i krijuar nga FIFA po eksploron mundësinë e rritjes së pushtetit të VAR-it, dukë i dhënë në këtë mënyrë më shumë përgjegjësi gjyqtarëve dhe pritet të ketë diçka më konkrete në këtë drejtim kur Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) takohet këtë javë.

Sidqoftë, një vendim me gjasë nuk do të merret deri në takimin e ardhshëm që është paraparë të mbahet në muajin mars.

Një pjeëstar i këtij bordi, Mark Bullingham ka diskutuar ndryshimet e mundshme gjatë muajit të kaluar.

“E di se kjo është diçka që do ta diskutojmë në bord. Ne do të ishim vërtet kundër faktit që një ndeshje të ndalohet më shumë se sa momentalisht por ky do të jetë një diskutim i duhur”, kishte thënë ai.

Momentalisht, goditjet e dënimit dhe kartonët e dytë të verdhë janë vendime që merren nga gjyqtarët në fushë dhe VAR-i nuk mund të intervenojë.

Ekziston frikë në mesin e komunitetit sportiv se zgjerimi i pushtetit të VAR-it mund të bëjë që të ketë më shumë ndalesa gjatë ndeshjeve.

Ky sistem shpeshherë është kritikuar sidomos këtë sezon në Ligën Premier, me Bordin e Zyrtarëve të Ndeshjeve Profesionale (PGMOL), bordi në krye të gjyqtarëve në futbollin anglez, që kanë kërkuar në disa raste falje për shkak të gabimeve të bëra.

IFAB do të mbajë një takim biznesi nesër (e martë) dhe çështjet që lidhen me futbollin dhe zhvillimin e VAR-it do të jenë në agjendë për t’u diskutuar.

Gjitashtu pritet të diskutohet nëse prekja e qëllimshme me dorë e topit do të ndëshkohet me karton të kuq direkt./Telegrafi/