Site icon Telegrafi

FIFA nën presion të madh që Irani të përjashtohet nga Kupa e Botës dhe vendi i tyre t’i dorëzohet Ukrainës

FIFA po përballet me thirrjet për të përjashtuar Iranin nga Kupa e Botës që mbahet në Katar dhe për t’ia dorëzuar vendin e tyre Ukrainës.

Irani do të përballet me Anglinë në ndeshjen e tyre hapëse të turneut më 21 nëntor, me të dyja përfaqësueset që gjithashtu janë në grup me Shtetet e Bashkuara dhe Uellsin në Grupin B.

Në fillim të këtij muaji, grupi i të drejtave të njeriut “Open Stadiums” i bëri thirrje organit qeverisës të futbollit botëror të ndalojë ekipin kombëtar iranian nga Kupa e Botës për shkak të trajtimit të grave në vend.

Ajo erdhi pasi protesta të gjera pushtuan vendin për vdekjen e Mahsa Amini, një gruaje kurde 22-vjeçare që vdiq ndërsa ishte në paraburgim në fillim të këtij muaji.

Qeveria iraniane po përballet gjithashtu me kritika të ashpra për përfshirjen e saj të supozuar në pushtimin e vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë.

Ministria britanike e Mbrojtjes pretendon se Irani po vazhdon të furnizojë Rusinë me mjete ajrore pa ekuipazh (UAV), të cilat janë përdorur kundër objektivave në të gjithë Ukrainën.

Shefi ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Sergei Palkin i ka bërë thirrje FIFA-s që t’i heqë Iranit vendin e Kupës së Botës dhe t’i japë Ukrainës, e cila u mund 1-0 nga Uellsi në finalen e play-off-it në qershor.

“Ndërsa udhëheqësia iraniane do të argëtohet duke parë ekipin e tyre kombëtar duke luajtur në Kupën e Botës, ukrainasit do të vriten nga dronët iranianë dhe raketat iraniane. Pothuajse 250 dronë të tillë tashmë kanë sulmuar qytetet paqësore të Ukrainës”, deklaroi Palkin, në një deklaratë të lëshuar në llogarinë e Shakhtarit në Twitter.

“Secila prej tyre është prodhuar, dorëzuar nga autoritetet iraniane, instruktorët iranianë dhe ushtria trajnuan dhe menaxhuan drejtpërdrejt lëshimet e dronëve që shkatërruan shtëpi, muze, universitete, zyra, terrene sportive dhe kënde lojërash, dhe më e rëndësishmja, vranë ukrainas”.

“Përfshirë fëmijët. Fëmijë që gjithashtu ëndërronin të shihnin kombëtaren e tyre në Botëror. Klubi i Futbollit Shakhtar i bën thirrje FIFA-s dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar që menjëherë të ndalojnë kombëtaren e Iranit të luajë në Kupën e Botës për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të vendit në sulmet terroriste ndaj ukrainasve”.

“Ky do të jetë një vendim i drejtë që duhet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës ndaj një regjimi që vret njerëzit e tij më të mirë dhe ndihmon në vrasjen e ukrainasve”.

“Vendin vakant duhet ta zërë Kombëtarja e Ukrainës, e cila dëshmoi se është e denjë për pjesëmarrje në Kupën e Botës. Me kushte të pabarabarta me kombëtaret e tjera gjatë play-off-it, ata luajtën me zemër”.

“Ky vendim është i justifikuar historikisht dhe sportivisht. I bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen presionit ndaj burokracisë së futbollit, mjafton të përsëriten gabimet e Botërorit 2018 në Rusi, duke u fshehur pas tezës boshe për apoliticitetin e sportit”.

“Lehtësimi i pjesëmarrjes së terroristëve në Kupën e Botës është politikë. Është koha për t’i dhënë fund një politike të tillë”, ka përfunduar shkrimi i tij.

Kupa e Botës do të fillojë në më pak se një muaj, ku nikoqiri – Katari do të përballet me Ekuadorin në ndeshjen hapëse të turneut më 20 nëntor. /Telegrafi/

Exit mobile version