Telegrafi

FIFA lejon rregullin e pesë zëvendësimeve deri në verën e 2021

FIFA ka vendosur të zgjerojë mundësinë e lejimit të skuadrave të përdorin deri në pesë zëvendësime dhe do të lejojë që ndryshimi të vazhdojë edhe për sezonin 2020-21.

Serie A vendosi për lejimin e pesë zëvendësimeve për të mbrojtur lojtarët pas pushimit disamujor shkaku i coronavirusit.

Ajo që pritej të ishte e përkohshme mund të qëndrojë përtej sezonit aktual, pasi FIFA ka lejuar ligat të vazhdojnë të zbatojnë rregullin e ndryshuar.

Bordi i Drejtorëve i IFAB, pas ‘reagimit të palëve të interesit dhe analizës së ndikimit të Covid-19 në kalendarët e garave’, vendosi të lejojë që ligat të vazhdojnë të përdorin pesë zëvendësime deri në korrik të vitit 2021.

Lexo po ashtu Rregulli i pesë zëvendësimeve pritet të mbetet në fuqi edhe për sezonin e ri

Ndryshimi i rregullit gjithashtu do të jetë i hapur për garat ndërkombëtare të planifikuara në korrik ose gusht të vitit 2021, si Kampionati Evropian i verës së ardhshme.

“Disa gara që rifilluan në vitin 2020 mund të kenë një periudhë më të shkurtër se zakonisht të rimëkëmbjes/përgatitjes para fillimit të sezonit të tyre të ardhshëm”, thuhet fillimisht në deklaratën e FIFA-s.

“Për shumë gara, sezoni 2020-21 do të përfshijë ndeshje që luhen në një periudhë të kondensuar për shkak të një fillimi të vonuar dhe pamundësisë për të përfunduar në kohë për shkak të turneve të mëdha ndërkombëtare”.

“Nuk ka ndryshime në detajet e ndryshimit të përkohshëm të ligjeve të lojës, i cili do të lejojë që maksimumi pesë zëvendësime të përdoren për ekipin”.

“Megjithatë, për të shmangur ndërprerjen në lojë, secila skuadër do të ketë vetëm tre mundësi për të bërë zëvendësime, megjithëse zëvendësimet e bëra në pushimin e pjesëve nuk llogariten si njëra nga tre mundësitë”.

“Vendimi nëse do të zbatohet ky ndryshim i përkohshëm mbetet në diskrecionin e secilit organizator të garave”, mbyllet deklarata e FIFA-s. /Telegrafi/