Site icon Telegrafi

FIFA hesht, Kosova e Serbia në pritje

Kosova është e bindur se më 13 janar të këtij viti do të marrë dritën e gjelbër për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës pa asnjë kusht, derisa federata serbe e futbollit është deklaruar se ka ndikuar tek numri një i FIFA-s, Sepp Blatter, që vendimin për Kosovën ta shtyjë deri në muajin mars, kur edhe mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv.

Gjithsesi, ende nuk është e qartë çfarë ka ndodhur, por burime të gazetës bëjnë të ditur se FIFA do ta lejojë Kosovën të luajë ndeshje miqësore, enigmë mbetet se me çfarë kushte. Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar për takimin trepalësh, derisa ka bërë të ditur se këtë herë është shënuar përparim, por që pa hyrë në detaje për rezultatet e këtyre bisedimeve. “Është mbajtur takimi trepalësh në selinë e FIFA-s ndërmjet krerëve të FIFA-së, FFK-së dhe FFS, ku nga ana e FIFA-së prezent ishte sekretari i përgjithshëm i FIFA-s Jerome Walcke.

Të dyja federatat parashtruan kërkesat e tyre. Krerët e FFK-se edhe një herë konfirmuan kërkesat e tyre, që Kosovës t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore për të gjitha përfaqësueset e me këtë në veçanti Përfaqësuesja "A" dhe e dyta ju bë me dije edhe njëherë se FFK-ja në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk do ta pyesë Federatën serbe për zhvillimin e ndeshjeve”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, e cila ka konfirmuar se vendimi përfundimtar pritet të merret të hënën nga ana e Këshillit për çështje urgjente të FIFA-s.

“Takimi mes Federatës së Futbollit të Kosovës, FIFA-s dhe asaj serbe (FFS) me ndërmjetësimin e FIFA-s sot në Cyrih ka përfunduar, por nuk mundur t’iu japim detaje nga bisedimet”, ka thënë David Noemi, shef për komunikim me media i FIFA-s, për “Presheva Jonë”. Në anën tjetër serbët kanë qenë më të zëshëm duke reaguar i madh e i vogël, madje edhe kryeministri Ivica Daçiq e ka pranuar se vendi i tij është nën presion për t’i lejuar Kosovës që të zhvillojë ndeshje miqësore. Duket se ata kanë lëshuar pe, para presionit ndërkombëtar, por që kanë paraqitur disa kushte, duke kërkuar që Kosova në ato miqësore të luajë pa simbole shtetërore, pa himn, pa flamur madje edhe mos të kenë mundësi zhvillimi të ndeshjeve me përfaqësueset e shteteve të ish-Jugosllavisë.

“FFS-ja është përkushtuar që në qoftë se vjen deri të zhvillimi i ndonjë ndeshje miqësore me shtetet që e kanë njohur Kosovën, në to nuk duhet pasur asnjë simbol shtetëror si flamur, himn apo emblema. Po ashtu nëse vjen deri tek theksimi i emrit Kosova e Metohia, atëherë duhet vendosur ylli”, thuhet në reagimin e Federatës serbe të futbollit e cila ndër të tjera, thotë se ata asnjëherë nuk do të pranojnë që Kosova të luajë ndeshje miqësore.

“Është e papranueshme zhvillimi i çfarëdo ndeshjeve zyrtare të klubeve apo përfaqësueseve të territorit të Kosovës në rrethana ndërkombëtare. Pala jonë kërkon ndalimin e zhvillimit të çfarë do ndeshje me republikat e ish-Jugosllavisë, të cilat sot janë shtete të njohura ndërkombëtarisht, si në territorin e Kosovës apo edhe në territorin e këtyre shteteve”, përfundon reagimi i tyre. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version