Federata Ndërkombëtare e Futbollit [FIFA] vendosi të hapë hetime mbi skuadrën përfaqësuese ruse në futboll, për shkak të dyshimeve të ngritura së fundmi për përdorim dopingu, një skandal ky që e kërcënon ndjeshëm Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë vit në Rusi.
Anëtarë të bordit drejtues të qeverisë së futbollit botëror kanë konfirmuar bashkëpunimin me Grigory Rodchenkov, ish-kreun e laboratorit antidoping të Moskës, që zbuloi skandalin e dopingut në Rusi në Lojërat Olimpike Dimërore të Sochit në vitin 2014.
Avokati i Rodchenkov, Jim Walden ka deklaruar se klienti i tij dhe FIFA kanë nisur tashmë punën për mbledhjen e provave kundër futbollistëve, të cilët më parë kanë dëshmuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv kundër sportistëve rusë të Lojërave Dimërore të vitit 2014, me këta të fundit që kishin apeluar dënimin me pezullim.
Ditë më parë, Rodchenkov kishte folur për dopingun rus edhe për skuadrën përfaqësuese për Botërorin 2014, duke shtuar se u bë pjesë e një skeme për të fshehur testet pozitive me doping të futbollistëve.
Gjatë kësaj jave, CAS-i me seli në Lozanë ktheu vendimin për pezullim të përjetshëm të 28 sportistëve rusë dhe reduktoi dënimin e 11 sportistëve të tjerë. Megjithatë, skandali nuk mbyllet, pasi rezulton se kanë dalë prova edhe ndaj futbollistëve të Rusisë.
Mësohet se Richard McLaren, hetuesi privat i caktuar nga WADA ka zbuluar se, dyshohet fshehja e testeve pozitive për 34 futbollistë të Rusisë. Mbi FIFA-n u rrit presioni për të nisur hetimet në lidhje me dopingun rus edhe në futboll.
Ndërkohë, Agjencia Botërore e Antidopingut konfirmoi për “Daily Mail” se, futbollistët rusë do të testohen për të parë nëse ka pasur shkëmbime të analizave të tyre nga agjentët e shërbimit rus të sigurimit.