Site icon Telegrafi

FIFA do t’ia japë dritën e gjelbër Kosovës

Ndërkohë, kundërshtarja e parë e Kosovës pritet të jetë Kroacia. Vendimi zyrtar rreth kësaj çështjeje do të prezantohet për opinion më 10 janar, kur në Cyrih do të takohen për herë të dytë drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ata të Serbisë. “Deshëm ne ta pranojmë apo jo, po shkojmë në atë rrugë”, ka theksuar Dushan Maraviq, anëtar shumëvjeçar i komisioneve të FIFA-s dhe UEFA, transmeton “rtk”.

“Unë kam qenë i pranishëm kur në vitin 2007 Michel Platini në Dyseldorf u promovua si president i UEFA-s. Në atë kongres përfaqësuesi i Gjilbraltarit aplikoi për pranim në UEFA, kurse presidenti i Federatës spanjolle, Angel Maria Villar doli në foltore dhe e kundërshtoi ashpër një ide të tillë. Megjithatë, sot e kemi situatën që Gjilbraltari ka filluar të luajë ndeshje ndërkombëtare”, ka shtuar Maraviq në një prononcim për mediat serbe.

Punëtori shumëvjeçar sportiv në FIFA e UEFA, ka thënë se nuk ekziston ndonjë procedurë e veçantë rreth ndeshjeve të Kosovës.

“Kur ne ishim nën sanksionet e OKB-së, fillimisht kategoritë tona të reja shkuan në Segedin, pastaj iu lejua klubeve të luajnë ndeshje në garat evropiane por jashtë vendit, pra gjithçka ka shkuar hap pas hapi dhe në fund kemi luajtur në të gjithë garat”, ka nënvizuar Maraviq.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë të paqartë në atë që FIFA pranon një vend që e ka shpallur pavarësinë, kurse që kërkon anëtarësimin në OKB.

“FIFA është shtëpia e futbollit botëror. Statuti i UEFA-s nuk lejon që vendi që nuk është i pranuar në OKB të fitojë statusin e barabartë me anëtarët e tjerë të UEFA-s. Por siç po shihet ne po shkojmë pashmangshëm drejt kësaj zgjidhjeje. Serbia po shkon kah Evropa dhe pa marrë parasysh atë se politikanët tanë po thonë se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, ata do të luajnë futboll” , ka përfunduar Maraviq. /Telegrafi/ 

Exit mobile version