Periudha Janar-Mars është momenti kur bujqësia nis ciklin e saj të prodhimit. Gjatë kësaj kohe, agrumet si portokallet, mandarinat, limonat dhe qitrot arrijnë kulmin e tyre të pjekurisë, ndërsa perimet e freskëta si domatet, specat, kastravecat, sallata jeshile, spinaqi, brokoli dhe lulelakra furnizojnë tregjet.
Pjesa më e madhe e këtij prodhimi vjen nga serat, të cilat luajnë një rol jetik në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm të perimeve gjatë muajve të ftohtë.
Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, prodhimi total i perimeve në vend ka tejkaluar shifrën e 1.38 milionë tonëve. Por ajo që vihet re është se se kontributi i qarqeve nuk është i njëjtë, pasi disa prej tyre janë prodhues kryesorë, ndërsa të tjerët kanë prodhim më të ulët për shkak të faktorëve klimatikë dhe gjeografikë.
Statistikat e detajuara tregojnë një dominim të padiskutueshëm të Fierit, Tiranës dhe Beratit, të cilët së bashku prodhojnë mbi 835,865 tonë perime, që përbën rreth 60% të totalit. Ndër to, Fieri vazhdon të mbajë vendin e parë si epiqendra e prodhimit bujqësor, duke kontribuar me rreth 40% të totalit të perimeve në vend. Tirana ndjek në vendin e dytë, duke siguruar 11% të prodhimit, ndërsa Berati qëndron në vendin e tretë me 10%. Më tej, Elbasani dhe Durrësi kontribuojnë përkatësisht me 8% dhe 7.5% të prodhimit të përgjithshëm.
Ndërkaq, qarqet malore si Kukësi dhe Gjirokastra kanë një prodhim më të ulët, për shkak të kushteve më të ashpra klimatike dhe relievit të thyer, që vështirëson kultivimin.
Por kush është më i miri në çfarë? Kur bëhet fjalë për perimet e thata, si qepët, Korça dhe Fieri zënë vendin e parë. Nga ana tjetër, për perimet e freskëta si domatet, specat dhe kastravecat, Fieri dhe Berati janë dy prodhuesit lider. Ndërkohë, prodhimi i bostanoreve që përfshin shalqi dhe pjepër është i përqendruar kryesisht në Fier, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. /Telegrafi/