Telegrafi

FIBA Europe vazhdon mbështetjen e FBK-së edhe për dy vitet e ardhshme në projektin për zhvillim të gjeneratave të reja

(Foto: basketbolli.com)

FIBA Europe vazhdon mbështetjen e FBK-së edhe për dy vitet e ardhshme në projektin për zhvillim të gjeneratave të reja

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për vitin e gjashtë radhazi është fituese e projektit të FIBA Europe për zhvillim të gjeneratave të reja të ashtuquajtur ‘FIBA Europe Youth Development Fund’. FIBA Europe së fundi e ka informuar FBK-në se e ka aprovuar aplikacionin e dorëzuar javë më parë nga FBK-ja në FIBA Europe.

FBK do të vazhdojë projektin e përbashkët edhe në dy vitet e ardhshme (2020-2022) me katër Federatat tjera Nacionale: Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut, derisa Federata Turke e Basketbollit do të vazhdojë të jetë udhëheqëse e këtij projekti.

Në këtë projekt do të jenë të përfshirë djem e vajza të moshës 13 vjeç dhe trajnerë të rinj e të talentuar. Projekti do të fillojë të zbatohet që nga muaji korrik me takimin e parë të menaxherëve të projektit dhe më pas do të vazhdojë me aktivitetet tjera si Kampe Nacionale, turne ndërkombëtar në shtetet pjesëmarrëse të projektit për djem e vajza dhe Klinika të trajnerëve në Turqi.

“Falë punës së shkëlqyeshme të bërë në fushën e lojës nga të gjithë të përfshirët në këtë projekt nga ana e FBK-së, por edhe raporteve financiare dhe atyre narrative ne e kemi marrë dritën e gjelbër nga FIBA Europe për mbështetje të projektit YDF edhe për dy vitet e ardhshme”.

“FIBA Europe është shumë e kënaqur me bashkëpunimin që ne si Federata e kemi pasur njëra me tjetrën dhe me përkushtimin për të dëshmuar se ky projekt me të vërtetë është i qëlluar për këto Federata Nacionale dhe se nëpërmjet këtij projekti po rritet numri i djemve dhe vajzave për të praktikuar basketbollin në shtetet që jemi pjesë e këtij projekti të përbashkët”.

“Ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të rritur interesimin e fëmijëve për tu marrë me basketboll, por në të njëjtën kohë do të punojmë edhe në ngritje të cilësisë së trajnerëve e që direkt do të ndikojë në ngritjen e cilësisë edhe të lojtarëve/eve të basketbollit”, ka deklaruar Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.