Telegrafi

‘FIBA Europa’ përgëzon FBK-në për organizimin të shkëlqyeshëm të FIBA U-18 Kampionatit Evropian, Divizioni C

Përfaqësuesja U-18 e Kosovës (Foto: Basketbolli.com)

Përfaqësuesja U-18 e Kosovës të dielën është stolisur me titullin e kampionit në FIBA U-18 Kampionatin Evropian, Divizioni C.

Pas këtij suksesi madhështor, me ç’rast e ka fituar të drejtën të garoj në Divizionin B, në drejtim të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Përfaqësueses kanë arritur urime dhe përgëzime të shumta, ndërsa së fundi një urim shumë i rëndësishëm ka arritur nga ‘FIBA Europa’, më saktësisht nga drejtori ekzekutiv, Kamil Novak.

(Foto: Basketbolli.com)

“Në emër të FIBA Evropës, unë dua t’ju falënderoj juve, anëtarët e Federatës dhe të gjithë vullnetarët për organizim të shkëlqyeshëm të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, që është mbajtur në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik”, ka thënë Novak, transmeton faqja e FBK-së.

Lexo po ashtu Lajmet për Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll

“Gjithashtu, dua të përgëzoj Përfaqësuesen U-18 të Kosovës, e cila arriti të stoliset me medaljen e artë në këtë garë”.

“Po ashtu më lejoni të falënderoj ish-presidentin e FBK-së, Erolld Belegu, për mikpritje të ngrohtë gjatë qëndrimit tim në Kosovë dhe për aranzhimin e takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj”.

Përfaqësuesja U-18 e Kosovës (Foto: Basketbolli.com)

“Unë dua t’ju falenderoj edhe një herë për përpjekjet dhe angazhimin tuaj në zhvillimin e basketbollit në Evropë”, ka shkruar Novak në letrën e tij.

Letra i është drejtuar kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu dhe sekretares së përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku. /Telegrafi/