Site icon Telegrafi

FIBA e vazhdon bashkëpunimin me FBK-në

Pas përfundimit me sukses të projektit FIBA Europe Girls’ Program me kampanjën “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj) nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), kjo e fundit ka marr mbështetje edhe për vitin e dytë radhazi nga FIBA Evropa për këtë projekt.

Vazhdimin e përkrahjes e ka bërë të ditur FIBA Evropa nëpërmjet një letre zyrtare të dërguar në FBK.

Në fakt pas përfundimit njëvjeçar të projektit (Korrik 2018-Korrik 2019), Federata e Basketbollit të Kosovës është dashur të mbyll projektin në dy pjesë, pra në një raport të punës të detajuar dhe në raport financiar, gjithashtu të detajuar.

Pas dorëzimit të dy raporteve dhe aplikacionit për vitin 2019, FBK ka marr lëvdata nga FIBA Evropa për punën që e ka bërë në kuadër të këtij projekti dhe në masivizimin e basketbollit femëror në vendin tonë, dhe këtë mbështetje FIBA Evropa e ka dëshmuar nëpërmjet miratimit të projektit edhe për vitin e dytë radhazi.

Në vitin 2018 FIBA e pati lansuar një program të ri për vajza nëpërmjet të cilit synon që të promovoj sa më shumë basketbollin në konkurrencën e femrave në Evropë, duke i tërhequr kështu vajzat e moshës 6 deri në 15 vjeç për të praktikuar basketbollin nëpërmjet kampanjës së ashtuquajtur “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj).

Komiteti i Menaxhimit të Projekteve të FIBA Evropës i ka miratuar 31 projekte të Federata Nacionale për vitin 2019, e në mesin e tyre është edhe projekti i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Projekti është njëvjeçar, ndërsa FIBA Evropa do të ndihmoj FBK-në për ta implementuar këtë projekt me shumën prej 16,000.00 Euro, si dhe me 216 topa (madhësia 6), ndërsa FBK pritet që këtë projekt ta realizoj në bashkëpunim me drejtoritë e sporteve të Komunave të ndryshme në vendin tonë, si dhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Target i FBK-së në këtë projekt do të jenë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen, kampe, turne, punëtori, klinika, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi i projektit, e që është masivizimi i basketbollit ndër vajza, por edhe krijimi i ekipeve të femrave në qytetet/fshatrat ku nuk ka basketboll të femrave, si dhe krejt në fund të arrihet që pas disa viteve edhe në konkurrencën e femrave të kemi liga prej kategorisë U12 e deri tek senioret.

Exit mobile version