Telegrafi

Fiat zyrtarisht bleu Zastavën

“Fiat” do të posedojë 67 për qind të kompanisë, ndërsa Qeveria serbe – 33 për qind tjera. Fabrika “Zastava” gjendet në Kraguevc dhe është me kapacitet prodhimi prej 200 mijë automobilave në vit. Pritet që gjiganti automobilistik Italian të paguajë edhe 100 milionë euro në vitin 2010.

Marrëveshjen e nënshkruajtën nënkryetari i “Fiat”-it, Alredo Altavila dhe ministri serb i Ekonomisë Mllagjan Dinkiq.

Dokumenti është pjesë e marrëveshjes paraprake në vlerë prej 700 milionë euro, që “Fiat” dhe Qeveria serbe e nënshkruajtën vitin e kaluar, zbatimi i së cilës u anulua për shkak të krizës globale ekonomike.

Me të parashihet që nga viti 2011 të fillojë prodhimi i dy modelve të reja të “Fiat”-it, të cilat do të ofrohen në tregun evropian dhe amerikan.