Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka lëshuar një njoftim për tifozët dardanë të cilët kanë udhëtuar drejt Rumanisë për ta ndjekur ndeshjen e sotme (e premte) të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Kosova do të luajë sonte ndaj Rumanisë në stadiumin “Arena kombëtare” në Bukuresht, me fillim nga ora 20:45 me orën tonë lokale.
Për këtë ndeshje kanë udhëtuar një numër jo i vogël Dardanësh, por edhe qytetarë tjerë nga Kosova, të cilët duan ta shikojnë ndeshjen në stadium.
FFK gjatë ditës ka dalë me një njoftim, ku i ka treguar të gjithë tifozëve pikëtakimin zyrtar për nisjen e organizuar drejt stadiumit.
Njoftimi i FFK-së
Njoftim për tifozët dardanë për ndeshjen Rumani – Kosovë
Federata e Futbollit e Kosovës njofton të gjithë tifozët që kanë siguruar bileta për ndeshjen Rumania – Kosova se është përcaktuar pikëtakimi zyrtar për nisjen e organizuar drejt stadiumit.
Vendtakimi do të jetë në rrugën Major Coravu, në orën 20:30 (sipas kohës lokale në Bukuresht) nga ku tifozët do të nisen në mënyrë të koordinuar nën përcjelljen e organeve të rendit deri te stadiumi, teksa ndeshja fillon në orën 21:45 (sipas kohës lokale në Bukuresht) Ky vendtakim është i vlefshëm për të gjithë tifozët, pavarësisht nëse posedojnë bileta për tribunën veriore apo Kategorinë 1.
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij organizimi, FFK u bën thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë udhëzimet e dhëna nga organizatorët dhe autoritetet e rendit.
/Telegrafi/