Telegrafi

FFK me turne përkujtimor për Fadil Vokrrin me legjenda të klubeve si Prishtina, Llapi, Partizani dhe Fenerbahce

KE i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi e ku shqyrtoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.

Aty u fol edhe për njëvjetorin e vdekjes së ish presidentit Fadil Vokrri, ku do të rregullohet varri i tij dhe do të mbahet një turne përkujtimor.

“Meqenëse po afrohet njëvjetori i vdekjes së legjendës së futbollit dhe ish-presidentit Fadil Vokrri, KE mori vendim dhe themeloi Komisionin për rregullimin e varrit. Kështu që, Komisioni i përbërë nga Agim Dibrani, kryetar, Arianit Ahmeti, Ilaz Mjaku e Mirsad Çollaku anëtarë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e punimeve të varrit të ish-presidentit”.

“Po ashtu, KE në datëlindjen e legjendës Fadil Vokrri më 23 korrik do të organizojë një turne përkujtimor në kategorinë e veteranëve të kohës dhe brezit të Fadil Vokrrit, e ku do të marrin pjesë veteranët e klubeve, në të cilat ka luajtur legjenda, Llapi, Prishtina, Partizani dhe Fenerbahçe”.

“ Për këtë turne dhe mbarëvajtjen e tij KE themeloi Komisionin në përbërje Bakir Buri, kryetar, Jusuf Tortoshi e Luan Salihu anëtarë”, thuhet në njoftimin e Komiteti Ekzekutiv të FFK-së.