Site icon Telegrafi

FFK i refuzoi, por Prishtina lajmëron ndeshjen me Trepçën ’89 në ‘Fadil Vokrri’ dhe hyrjen falas

Prishtina do të pres Trepçën ’89 në kuadër të xhiros së nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ditë më parë FFK njoftoi se gjendja e fushës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, nuk është e mirë dhe i ka ndaluar Prishtinë që të luaj atë në muajin tetor.

Gjatë këtij muaji në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do t’i luaj vetëm Ballkani ndeshjet e Ligës së Konferencës dhe Përfaqësuesja e Kosovës U17.

Por vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës nuk po e pranon klubi kryeqytetas FC Prishtina, pasi ata duan ta luajnë ndeshjet si vendas në ‘Fadil Vokrri’.

Prishtina i ka nisur ditën e djeshme një shkresë FFK-së ku i ka bërë të ditur se do t’i zhvilloj ndeshjet në stadiumin e tyre, derisa sot kanë paralajmëruar ndeshjen me Trepçën ’89 të dielën me fillim nga ora 18:00.

Telegrafi ka kontaktuar kryetarin e Komisionit të Garave, Avdyl Bellopojën, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Mbetet të shihet se si do të zgjidhet ky ngërç mes FFK-së dhe Prishtinës.

Por vlen të ceket se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ është duke u menaxhuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Postimi i plotë i FC Prishtinës:

FC Prishtina e pret të dielën Trepçën ’89 në stadiumin tonë ‘Fadil Vokrri’, hyrja për tifozët do të jetë falas.

FC Prishtina ndeshjen e radhës në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon të dielën (2 tetor) ndaj Trepçës ’89 me fillim nga ora 18:00 në stadiumin tonë, “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Hyrja për tifozët në këtë takim që i takon xhiros së 9-të të elitës së futbollit kosovar do të jetë falas andaj si gjithmonë presim përkrahje masive nga tifozët.

Prishtina vjen në këtë takim pas barazimit të arritur me Dritën me rezultat 0:0 (ndeshje e mbetur e xhiros së tretë). Skuadra jonë e drejtuar nga trajneri Ismet Munishi i ka bërë përgatitjet e duhura për këtë ndeshje në mënyrë që të rikthehemi te fitoret. /Telegrafi/

Exit mobile version