Telegrafi

FFK ndërron mendim: Superliga edicionin 2020/21 me 36 xhiro – katër raunde, Liga e Parë ndahet në dy grupe

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për gjendjen e futbollit në vend.

Në këtë mbledhje është vendosur që edicioni i ardhshëm i Superligës së Kosovës do të ketë 10 skuadra dhe do të ketë katër raunde, pra 36 xhiro, tri më shumë se sa që zhvillohen aktualisht.

Fillimisht ishte menduar të zhvillohen 27 ndeshje, apo sistem të trefishtë.

Ndërkohë, Liga e Parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 ekipe.

“KE shqyrtoi edhe njëherë formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe mori vendim që Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë”.

“Në fakt, Liga e Parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, ndërsa nga liga largohen tri skuadrat e fundit në secilin grup. Ndërsa, nga Liga e Dytë kampioni dhe nënkampioni ngjiten në Ligën e parë, ndërsa nga liga largohen 4 skuadrat e fundit. Po ashtu, nga Liga e Tretë në një rang më lart ngjiten kampionët e të dyja grupeve”.

“KE debatoi edhe për procesin e gjetjes së sponsorëve për Ligën e Parë, Ligën e femrave dhe të futsallit. Po ashtu KE shqyrtoi edhe mundësinë e lejimit të formimit të skuadrave”B” të klubeve të Superligës dhe mori vendim që t’u lejohet klubeve të Superligës formimi i skuadrës “B” i cili do të garojë maksimalisht dy rangje më ultë se ekipi i Superligës. KE shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /Telegrafi/