Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) i dënon incidentet e ndodhur në Prishtinë dhe Mitrovicë, qysh në nismë të sezonit të ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, raporton Express.
Edicioni i ri nisi me një sulm ndaj tifozëve të Prishtinës ‘Plisat’ nga ana e Policisë së Kosovës, pas ndeshjes ndaj Ferizajt (1:0) të shtunën, ndërsa vazhdoi me një tjetër incident që ndodhi të dielën, kur disa tifozë vushtrrias, që kishin shkuar privatisht ta ndiqnin ekipin e tyre të zemrës, u sulmuan fizikisht nga tifozët mitrovicas ‘Torcida’, pas ndeshjes Trepça – Llamkos Kosova.
Sigurisht, drejtuesit e futbollit kosovar nuk do të rrinë duarkryq. Pasi t’i marrin raportet zyrtare nga Komisionet përkatëse, i përket FFK-së që të ndërmarrë hapa për parandalimin e kësaj dukurie, e cila e ka përcjell vazhdimisht futbollin në vend.
“Pasi t’i marrim raportet zyrtare nga Komisionet, do të shikojmë për hapat e mëtutjeshëm. Këto janë akte të cilat nuk do të tolerohen. Komisionet e FFK-së do të vazhdojnë ta kryejnë punën e vet. Kryetari u iu ka apeluar krejt klubeve që t’u përmbahen rendit dhe rregullave. Prandaj, ata që shkaktojnë incidente, do të dënohen”, deklaroi për Express nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu.
Ai i ka bërë thirrje edhe Ministrisë së Sportit që ta bëjë legjislacionin, i cili do t’i parandalonte rastet e tilla.
Përndryshe, në fundjavë Llamkos Kosova do të udhëtojë sërish në Mitrovicë, ku e pret skuadra e Trepçës ’89. Rreziku është po aq i madh, kështu që shpresojmë që Federata të ndërmarrë masa që këto akte të ndalen një herë e përgjithmonë. /Telegrafi/