Telegrafi

FFK kërkon tifozë në ndeshjen Kosovë – Slloveni, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka ndërmend lejimin e tubimit të njerëzve

Gjatë ditëve të fundit ka pasur shumë kërkesa që pas lejimit të zhvillimit të aktiviteteve sportive, të lejohet edhe kthimi i shkuesve.

Në logjikën e këtyre kërkesa edhe FFK mësohet se ka kërkuar më herët, por do të kërkojë edhe tani, kthimin e tifozëve, si në Superligë, po ashtu edhe për ndeshjen mes Kosovës dhe Sllovenisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të ka marrë vendim të enjten, lejimin e organizimit të ndeshjeve me maksimumi 30 për qind të shikuesve në tribuna, gjë që e ka trimëruar FFK-në në kërkesën e saj.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj

“Edhe më herët kemi kërkuar kthimin e tifozëve. Tani kemi një vendim të UEFA-s që lejon rikthimin e 30 për qind të shikuesve. Këtë leje të UEFA-s do t’ia bashkëngjisim kërkesës tonë që ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë të luhet me 30 për qind të kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri”. Normalisht që çdo gjë që është bërë deri më tani është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Mistrinë e Sportit dhe IKSHPK-në”, ka thënë Agim Ademi për Telegrafin.

Por në anën tjetër nga Ministria e Shëndetësisë, thonë që nuk ka ardhur ndonjë kërkesë , por edhe po të vije vështirë se do të aprovohet.

Pamje nga ndeshja Kosovë – Greqi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Burime të Telegrafit në Ministrin e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se ministri Zemaj nuk do të lejoj që të ketë tubime apo grumbullime në këtë fazë, pasi janë në kundërshtim me masat e vendosura dhe në kundërshtim me manualin kundër përhapjes së COVID-19.

I njëjti burim thotë se kërkesa e FFK-së ende nuk ka arritur në ministri.

Në javën e fundit ka rënë numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë, ndërsa në përgjithësi janë mbi 1300 raste aktive në të gjithë vendin.

Superliga e Kosovës e ka filluar aktivitetin e para, ndërsa pas saj edhe kampionatet më të ulëta.  /Telegrafi/