Site icon Telegrafi

FFK kërkon përgjegjësi maksimale në gara

(Foto: ffk-kosova.com)

Presidenti i Federatës së Futbollist të Kosovës, Agim Ademi, gjatë ditës së sotme (e hënë) krahas takimit me gjyqtarët e Superligës, ka pasur takim edhe me Komisionin e Gjyqtarëve si dhe me përfaqësuesin e KF Llapi, Tahir Batatina, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari Agim Dibrani.

Në këto takime u diskutua për mbarëvajtjen sa më të mirë të garave, me theks të veçantë për ndarjen e drejtësisë, për të cilën në javët e fundit ka pasur debate dhe reagime.

Presidenti Ademi bëri me dije se do të kërkojë përgjegjësi maksimale nga të gjitha organet e FFK-së për rregullsi të garave, teksa u shpreh i vetëdijshëm se gabimet në ndeshje futbolli mund të ndodhin, por ato asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë të qëllimta dhe tendencioze ndaj asnjë klubi.

Lexo po ashtu Llapi vendos t’i vazhdojë garat

Po ashtu, ai shprehu vendosmërinë e tij dhe të KE të FFK-së se kurdo që vërehet ndonjë gabim eventual me tendencë do të ndëshkohet me masat më rigoroze, por njëkohësisht edhe për klubet dhe anëtarët e klubeve do të ketë ndëshkime nëse tentohet të përdorin presion ose veprime të liga ndaj gjyqtarëve.

Ndërkohë, edhe Komisioni i Gjyqtarëve u zotua se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të bëjë vlerësimet e çdo ndeshjeje dhe për këdo që bën gabime do të ketë ndëshkime.

Exit mobile version