Telegrafi

FFK-ja nuk i permbahet vendimit te FIFA-s

Shtëpia botërore e futbollit ka vendosur që ndeshjet e ekipeve të FFK-së të mos luhen me simbole nacionale si flamuri, himni kombëtar etj. FFK-së miqësoret i janë lejuar për të rinjtë, amatorët, femrat dhe klubet. Për ndeshjet brenda territorit të Kosovës, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka thënë se "janë subjekt i një autorizimi paraprak të Federatës së Futbollit të Serbisë".

Pas vendimit të FIFA-s, përfaqësueset e Kosovës nuk kanë zhvilluar ndonjë ndeshje. Ndeshja e parë do të jetë ajo që zhvillohet më 24 shkurt në Kukës mes Përfaqësueses U-17 të Kosovës e U-17 të Shqipërisë.

"Për kategori të reja zakonisht nuk intonohet himni, por nëse intonohet atëherë do të jetë në rregull. Nuk e kemi ndërmend të fshehim simbolet tona. Nëse na ndalojnë simbolet atëherë le të na ndalojnë edhe futbollin në përgjithësi”.

“Klubet tona tashmë kanë luajtur ndeshje miqësore me ekipe të huaja, madje edhe nga Rusia dhe nuk u është kushtuar rëndësi këtyre gjërave", ka thënë të premten sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, për Kohen Ditore./Telegrafi/