FFK-ja ka paraqitur kërkesa të reja për organizatorët e ndeshjeve, të cilat duhet të respektohen nga vëzhguesit e Superligës e të Ligës së Parë. Nënkryetarët e FFK-së, Agim Ademi e Bekim Haxhiu, të mërkurën, kanë pasur takim me anëtarët e Komisionit të Garave dhe me vëzhguesit. Nga vëzhguesit është kërkuar që të zbatohen në përpikëri rregulloret.
Në takim janë nxjerrë edhe disa konkluzione përmes të cilave synohet organizim më i mirë i takimeve. Është vendosur që asnjë ndeshje të mos zhvillohet nëse brenda rrethojave ndodhen persona civilë të paautorizuar. Klubet janë obliguar që të sigurojnë autoambulancën para fillimit të ndeshjes, ndërsa ndaj lojtarëve do të iniciohen procedura disiplinore nëse protestojnë në fushë kundër vendimeve të arbitrave, duke krijuar kështu tollovi në fushë.
Në një njoftim të FFK-së thuhet se Federata po ashtu do të kërkojë nga Policia e Kosovës që të jetë më aktive dhe më vigjilente në sigurimin e ndeshjeve të futbollit. /Telegrafi/