Site icon Telegrafi

FFK-ja i “gjuhet” Tovërlanit dhe fizioterapeutit të Prishtinës

Në mungesë të kompletimit të deklaratave, komisioni disiplinor ka vendosur që nga kjo ndeshje tash për tash të hapen vetëm procedura disiplinore, ndërsa vendimet të merren gjatë javës së ardhshme.

“Nuk kanë qenë të plotësuara deklaratat e të gjithëve, kështu që është vendosur të mos merret asnjë vendim deri në plotësimin e tyre. Trepça këtë vikend luan jashtë fushës së vet, kështu që nuk ka qenë e domosdoshme të merret vendimi menjëherë”, njoftojnë burimet e gazetës.

Gjithsesi, ajo që duhet thënë është se tashmë është hapur “lufta” ndërmjet Trepçës e trajnerit të Prishtinës. Këta të parët akuzojnë kinse ai ka inskenuar dhe se nuk është qëlluar në kokë, derisa tekniku “bardhekaltër” këmbëngul se është qëlluar në kokë.

Sido që të jetë pamjet nga ajo ndeshje nuk i shërbejnë aspak futbollit, dhe pa marr parasysh nëse ka pasur qarje apo jo në kokën e Tovërlanit imazhet e tilla janë për çdo kritikë dhe të dënueshme.

Mirëpo, duket se në këtë rast, FFK-së, shumë më shumë i kanë “dhimtë” deklaratat e trajnerit të Prishtinës, Afrim Tovërlani se sa ngjarja në Mitrovicë.

Kështu Komisari i garave i FFK-së, përveç që e ka regjistruar ndeshjen me rezultatin në fushë, ka hapur procedurë edhe ndaj teknikut të Prishtinës, Afrim Tovërlanin dhe fizioterapeutit të Prishtinës, Alban Llumnica, duke e luajtur rolin e mjekut, pasi që komisari ka vlerësuar se nuk ka qenë e nevojshme të fashohet koka e Tovërlanit, dhe se fizioterapeuti i Prishtinës, Alban Llumnica e ka ekzagjeruar me punën e tij.

“Hapet procedurë ndaj fizioterapeutit të KF Prishtina, Alban Llumnica, me motiv të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe vënia në lajthitje të personelit zyrtar dhe opinionit të gjerë lidhur më konstatimin dhe ndihmën e lëndimit të Afrim Tovërlanit. Në procedurë është edhe kryetrajneri i KF Prishtina, Afrim Tovërlani, me motiv për deklaratave të pamatura e të paargumentuara në mjetet e informimit publik”, thuhet në njoftimin e Komisarit të Garave.

Sido që të jetë, burime tona të afërta me komisionin disiplinor na mësojnë se ata me ngulm kërkojnë të zbardhet e vërteta nga kjo ndeshje.

“Jemi ka e kërkojmë vetëm të vërtetën. Askush nuk ka drejtë ta qëllojë askënd, por askush nuk ka drejtë as ta prish imazhin e futbollit me inskenime. Komisioni nuk do të ngutet, ai do të marr vendim vetëm kur gjithçka të zbardhet”, thotë burimi ynë, derisa ka kërkuar raport mjekësor nga tekniku i Prishtinës. Krejt çka ka bërë dje Komisioni Disiplinor, është dënimi i futbollistit të Hajvalisë, Festim Krasniqi me dy ndeshje moslojë, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen Hajvalia – Hysi, si dhe ka pezulluar futbollistin e Drenicës, Visar Hasanin. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version