Site icon Telegrafi

FFK-ja e lajmëron FIFA-n për miqësoren kundër Xhamajkës

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar ndeshjen miqësore që pritet të zhvillohet në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë ndërmjet Kosovës dhe Xhamajkës. Por, shtëpia e futbollit kosovar tashmë e ka njoftuar FIFA-n rreth organizimit të kësaj ndeshje, konform vendimit të Sepp Blatterit, i cili në janar e lejoi Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare në përputhje me disa modalitete që i kishte vendos njeriu i parë i futbollit botëror.

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Arena zyra për informim e FIFA-s. “Në përputhje me modalitetet e vendimit të FIFA-s për ta lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare me klube dhe Përfaqësuese, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) na ka njoftuar me shkrim rreth qëllimit të saj për ta zhvilluar një miqësore kundër Xhamajkës më 4 mars në territorin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të FIFA-s dërguar Arenës.

Mt: FIFA e njofton Serbinë

Madje, FIFA ka bërë të ditur se për miqësoren mes Kosovës dhe Xhamajkës tashmë e ka njoftuar Federatën e Futbollit të Serbisë, konform modaliteteve të vendimit të fundit të FIFA-s për Kosovën.

“Në përputhje me modalitetet e përmendura, FIFA e ka informuar Federatën e Futbollit të Serbisë”, sqaron zyra për informim e FIFA-s.

Mt/ ‘Topi’ te xhamajkanët

Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar këtë miqësore në Prishtinë, e po ashtu nuk është në gjendje të japë informacione më të hollësishme rreth këtij procesi. Udhëheqësit e futbollit kosovar ‘topin’ e hedhin te xhamjakanët, por edhe te kompanitë që po merren me aranzhimin e miqësores, prej të cilëve po e presin një përgjigje. “Ende nuk ka të reja”, ishte përgjigjja e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri të dhënë të hënën.

Burimet thonë se kosovarët i kanë kryer të gjitha detyrat që u kanë takuar për ta organizuar takimin, madje edhe sa i përket vizave për ekspeditën e Xhamajkës. Po ashtu, edhe kompanitë që janë marrë me aranzhimin e ndeshjes kanë punuar shumë në këtë drejtim. Por, thuhet se xhamajkanët nuk po mund të vendosin përfundimisht rreth ardhjes së tyre në Kosovë, për shkaqe teknike, që kanë të bëjnë kryesisht rreth udhëtimit në drejtim të Kosovës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version