Në Federatën e Futbollit të Kosovës janë thuajse të bindur se të premten mbrëma do të marrin lajmin për pranimin e Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).
Optimizmi në FFK është rritur ndjeshëm pas vendimit që të martën mbrëma e mori Këshilli i FIFA-s, organ ky i ri që në takimin e parë mori një vendim me vlerë të madhe për futbollin kosovar. Këshilli i FIFA-s ka proceduar për në Kongres kërkesën e FFK-së për pranim. Por Këshilli nuk është mjaftuar me kaq.
Pos që ka proceduar kërkesën e FFK-së te Kongresi, që mblidhet të premten në Meksikë, i ka rekomanduar këtij organi që të pranojë Kosovën. Kongresi është organi më i lartë i FIFA-s dhe organi kompetent për pranimin e anëtarëve të rinj, shkruan kohaditore.
“Është konfirmuar se nëse Kosova e Gjibraltari pranohen në Kongresin e 66-të, do të përshihen në eliminatoret për Botërorin e vitit 2018. UEFA është autorizuar që të gjejë modalitetet për integrimin e këtyre dy vendeve në eliminatore”, thuhet në vendimin e Këshillit të FIFA-s.
Në fakt pengesa e madhe drejt pranimit në FIFA është kaluar më 3 maj në Budapest, me pranimin e Kosovës në UEFA, Konfederatën Evropiane të Futbollit.