Ora e nisjes së miqësores së futbollit Kosovë-Danimarkë është shënuar gabimisht në biletat për ata që duan ta ndjekin nga afër ndeshjen.
Federata e Futbollit e Kosovës ka treguar përmes një njoftimi për media se përse ka ndryshuar ora e fillimit të ndeshjes mes dyja reprezentacioneve.
“Kjo ndeshje fillimisht ishte paraparë të luhej nga ora 18:00, por për shkaqe teknike me vendim të UEFA-s termini i ndeshjes është zhvendosur në orën 19:00”, thotë FFK përmes një komunikate për media.

Si rrjedhojë kompania përgjegjëse për shitjen e biletave një numër të biletave i ka shtypur paraprakisht me orën e nisjes së ndeshjes në 18:00, prandaj luten qytetarët që ta kenë parasysh faktin se ndeshja do të nisë në orën 19:00.
Kujtojmë se Federata e Futbollit të Kosovës kishte bërë të ditur se biletat për miqësoren dhe ato për ndeshjen kualifikuese për Evropian, me Bullgarinë, ishin shitur për pak orë.
Theksojmë se tashmë Policia e Kosovës dhe FFK-ja ka zbardhur disa prej detaje paraprake që janë marrë në lidhjen me ndeshjen e sotme.
Ndryshe, vlen të theksohet se kjo është hera e parë që këto dyja përfaqësuese do të takohen në mes tyre. /Telegrafi/