Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (KE i FFK), të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për rrjedhën e kampionatit dhe ndeshjet të barazhit.
“KE i FFK-së nën drejtimin e Agim Ademi, nënkryetar, mbajti mbledhjen e vet të radhës ku analizoi dhe debatoi për rrjedhën e kampionatit të sapo përfunduar si dhe për ndeshjet e barazhit. Pas shumë diskutimeve dhe vlerësimeve nga të gjithë anëtarët, KE këtë kampionat e cilësoi të kënaqshëm me gjithë disa lëshime, të natyrave të ndryshme dhe vështirësive që janë hasur gjatë këtij kampionati. KE dhe organet e FFK-së në konsistencë të plotë e kanë mbikëqyrë rrjedhën dhe kanë marrë masat adekuate për evitimin e lëshimeve si dhe ndëshkimin ndaj atyre që u sollën apo u përpoqën të sillen jashtë normave të akteve normative të FFK-së”, është thënë në njoftimin e FFK-së.
Sipas këtij njoftimi, KE vlerëson se ka pasur një rivalitet të madh sportiv dhe se sistemi i garimit ka bërë që çdo ndeshje të jetë në nivelin kampional. FFK dënon mosudhëtimin e Prishtinës për në Vushtrri si dhe sjelljet jo sportive të tifozëve mitrovicase dhe llapjanë në sfidën e barazhit.
KE i FFK-së thotë se është e kënaqur me rrjedhën e finales së Digit Alb Kupës së Kosovës mes Ferronikelit dhe Hajvalisë.
Krejt në fund FFK me rastin e fillimit të Kampionatit Botëror ‘Brazili 2014’, uron e përgëzon futbollistët shqiptarë pjesëmarrës në këtë kampionat, për një sukses sa më të mirë duke konsideruar se ata do të përfaqësojnë, jo vetë shtetet për të cilat luajnë, por do ta përfaqësojnë edhe Kosovën në mënyrën sa më të mirë të mundshme. /KP/Telegrafi/