Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë vendim ta dënojë Llapin për sulmin që i bënë personat e papërgjegjshëm lojtarëve të Ferizajt.
Llapi është dënuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve për shkak të incidenteve në ndeshjen e javës së fundit ndaj Ferizajt.
Komisioni Disiplinor ka shqiptuar këtë dënim për ekipin nga “Zahir Pajaziti” pas procedurave të hapura nga Komisioni i Garave.
Pas pjesës së parë disa lojtarë të Ferizajt ishin sulmuar në korridorin drejt zhveshtoreve dhe me pretekstin e lëshimit në organizim, llapjanët janë dënuar me dy ndeshje pa praninë e publikut.
Këtë dënim Llapi do ta vuajë në ndeshjet që do ti zhvillojë në shtëpi ndaj skuadrës së Trepçës ’89 dhe Drenicës.
Por dënimit nuk i ka shpëtuar as kapiteni i ‘Legjendave’, Mentor Zhdrella.
Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi lojtarin kundërshtar dhe tani do të mbetet tri ndeshje jashtë fushave. /Telegrafi/