Sot u mbajt një takim i rëndësishëm mes Departamentit të Financave të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Departamentit të Financave për Mirëqeverisje të FIFA-s.
Ky takim kishte për qëllim diskutimin e thellë mbi praktikat financiare të FFK-së, si dhe analizën e gjendjes aktuale financiare.
Në këtë kuadër, u theksua roli thelbësor që FIFA ka luajtur dhe vazhdon të luajë në mbështetjen e FFK-së për zbatimin e praktikave të qëndrueshme dhe të rregullta financiare, duke siguruar një transparencë dhe efiçiencë më të madhe në administrimin e fondeve.
Në këtë u ndanë përvojat dhe ekspertizat e dy organizmave në lidhje me përmirësimin e proceseve financiare. Christoph Suppiger, shefi i Programit për Mirëqeverisje Financiare të FIFA-s, Vasco Stock da Cunha, koordinator Rajonal për Evropën dhe Manuel Moreira, koordinator për Mirëqeverisje Financiare, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me federatat kombëtare, për të siguruar qëndrueshmëri dhe përputhje me standardet ndërkombëtare të menaxhimit financiar.
Nga FFK në takim krahas presidentit Agim Ademi ishin edhe Agim Gashi, shefi i Departamentit të Financave, Lumnije Ymeri, zyrtare Financiare, Doruntinë Fetahaj koordinatore e programit FIFA Forward dhe UEFA Hattrick, si dhe Indrit Canolli koordinator i programit FIFA Forward dhe UEFA Hattrick, të cilët prezantuan gjendjen aktuale financiare dhe prioritetet për zhvillimin e ardhshëm.