Federata e Futbollit e Kosovës dhe Federata e Basketbollit të Kosovës, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës më datë 11 mars për mbrojtje nga koronavirusi ka njoftuar për masat e marra.
Të dy federatat më të mëdha, kanë njoftuar klubet për hapat që duhet të ndërmarrin, duke nisur nga ndeshjet pa tifozë.
FFK për dallim nga FBK, ka ndërprerë të gjitha aktivitet për fëmijë.
“Të gjitha ndeshjet e futbollit në Kosovë në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri më 27 mars, 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri)”.
“Në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policor dhe përfaqësuesit e mediave”.
“Klubet organizatore të ndeshjeve udhëzohen që të bëjnë vendosjen e dezinfektuesve të duarve në zhveshtore”.
“Po ashtu si masë parandalimi ndaj koronavirusit, ashtu sikurse në vendet tjera evropiane rekomandohet që futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes”.
FFK kërkon mirëkuptimin e futbolldashësve për ndërmarrjen e këtyre masave, derisa do të ndjekë më vëmendje zhvillimet në vend dhe me kohë do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, thuhet në njoftimin e FFK-së.
FBK: Të gjitha ndeshjet pa tifozë
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) duke iu referuar Vendimit të Qeverisë së Kosovës të marrë në mbledhjen e sotme, njofton të gjithë anëtarët e saj, klubet e Superligës së Kosovës, Superligës së Femrave, Ligës së Parë të Meshkujve, Ligës së Parë të Femrave, Ligës së Dytë të Meshkujve dhe të gjitha klubet e ligave të kategorive të reja, se ndeshjet e basketbollit nga data 12.03.2020 (e enjte) duhet të zhvillohen me dyer të mbyllura, pra pa praninë e publikut.
Kjo është një nga 11 masat e marra nga Qeveria e Kosovës.
Gjithashtu Federata e Basketbollit të Kosovës njofton të gjithë anëtarët e saj (klubet/shkollat/shoqatat) se qëndrimi në palestër krahas lojtarëve/eve, shtabeve teknike, ju lejohet edhe zyrtarëve të klubeve, ku numri i tyre nuk guxon të jetë më i madh se 15 për secilin klub.
Po ashtu të pranishëm nga zyrtarët e FBK-së në palestra, duke përfshirë këtu gjyqtarët e vëzhguesin, numri i tyre në total nuk guxon të jetë më i madh se 10 në një ndeshje basketbolli.
Pjesëtarët e partnerit medial të FBK-së, ART MOTION mund të jenë të pranishëm në palestra, derisa mediat tjera që dëshirojnë të përcjellin ndeshjet duhet që së pari të marrin leje nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Të pranishëm në palestër duhet të jenë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa në ndeshjet e Superligës së Kosovës edhe pjesëtarët e Sigurimit Privat.
Duhet theksuar se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën mbrëma, ka miratuar masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mbrojtje nga kronavirusi.
Një prej 11 masave është edhe: “Aktivitetet publike e jopublike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut, si ngjarjet sportive, koncertet e konferencat deri në një vendim tjetër”. /Telegrafi/