Telegrafi

FFK dhe Ballkani me telegrame ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Skënder Kuqit

Ish-futbollisti i Ballkanit, Skënder Kuqi, ka ndërruar jetë pasi e ka humbur betejën me COVID-19.

Klubi nga Suhareka ka shprehur ngushëllime për humbjen e tij, ndërsa një telegram ngushëllimi e ka nisur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke thënë se humbja e Kuqit në futbollin e Kosovës do të vlerësohet dhe respektohet gjithmonë.


Telegram ngushëllimi i FFK-së për ndarjen nga jeta të Skënder Kuqit

E nderuara Familje e Skënder Kuqit!

Të nderuar, drejtues, anëtarë dhe tifozë të KF “Ballkani”

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit, Skënder Kuqi, i cili fatkeqësisht, si shumë qytetarë tanë dhe të tjerë anë e kënd globit, e humbi betejën me pandeminë COVID-19, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella.

Kontributi i Skënder Kuqit në futbollin e Kosovës do të vlerësohet dhe respektohet gjithmonë. Ai ishte njeri me virtyte të larta, i cili vazhdimisht u dha mbështetje brezave të rinj në Suharekë për futbollin dhe sportin në përgjithësi, andaj vdekja e tij është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin sportiv.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së


Postimi në faqen e Ballkanit

E nderuara familje Kuqi!

Me dhembje morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish futbollistit të FC Ballkani, z. Skender Kuqi.

Skënder Kuqi, do të përkujtohet përherë me respekt nga qytetarët e Suharekës për kontributin e tij ndër vite në lëmin e sportit.

Në emër të klubit, ju lutem pranoni ngushëllimet për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj.


/Telegrafi/