Site icon Telegrafi

FFK dënon ashpër dhunën ndaj gjyqtarit Diamant Hoti në Ligën e Tretë

Federata e Futbollit e Kosovës me shqetësim e ka marrë lajmin për sulmin fizik ndaj gjyqtarit Diamant Hoti në ndeshjen e Ligës së Tretë ndërmjet KF Opoja – KF Rilindja nga Skivjani.

Sulmi fizik i lojtarit të Opojës ndaj gjyqtarit Hoti në minutën e fundit të ndeshjes është i papranueshëm dhe është sulm mbi rregullsinë dhe masivizimin e garave – thuhet në një reagim të Federatës.

FFK ka vendosur të fillojë me organizimin e Ligës së Tretë, me të cilin udhëheqin Lidhjet Rajonale të Pejës dhe Prishtinës, me qëllimin më të mirë të masivizimit dhe shtirjes së garave në tërë territorin e vendit, për t’iu dhënë mundësi argëtimi por edhe zhvillimi talenteve të futbollit, andaj nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që kjo ligë t’u shërbejë njerëzve të pandërgjegjshëm për sjellje vulgare dhe josportive, qoftë ndaj rivalit apo ndaj atyre që ndajnë drejtësinë.

Një rast i tillë dhune ka ndodhur edhe javë më parë në Isniq, kur është sulmuar gjyqtari Taulant Haxhimustafa, prandaj FFK do të kërkojë përgjegjësi maksimale në zhvillimin e këtyre garave dhe fton Lidhjet Rajonale që të marrin masat më rigoroze ndaj atyre që shfaqin sjellje josportive dhe të dhunshme në fushën e gjelbër.

FFK fton klubet që t’i pastrojnë radhët e veta nga individë të tillë dhe suksesin ta kërkojnë me lojë fer dhe assesi me veprime të tilla të shëmtuara dhe qyqare!

Exit mobile version