Telegrafi

FFK del me vendim pas ankesës së Trepçës ’89 që të dënohet Drita

Trepça ’89 ka bërë një ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës për ndeshjen Drita – Flamurtari.

Kryeqytetasit kanë triumfuar me rezultat 1-2 te Drita, në një ndeshje ku kampioni në fuqi kishte aktivizuar lojtarë të rinj.

Ankesa e ‘Minatorëve’ ishte se lojtari i Dritës, Ardit Mustafa nuk kishte drejtë loje pasi nuk ishte i licencuar.

E Federata e Futbollit të Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e Trepçës ’89, pasi ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të nenit 50.

V E N D I M

Refuzohet ankesa e KF “Trepça ‘89” si e pabazuar dhe ndeshja e javës së 32-të e IPKO Superliga së Kosovës ndërmjet KF “Drita” – KF “Flamurtari”, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 1:2 në favor të KF “Flamurtari”.

ARSYETIM

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjeve të javës së 32-të të IPKO Superligës, konkretisht të ndeshjes KF “Drita” – KF “Flamurtari”, konstatoi se KF “Trepça ‘89” si palë e tretë e interesuar për rezultatin e kësaj ndeshje, ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit Ardit Mustafa me nr ID 006436M01 dhe nr të fanellës nr 7, shkaku i se lojtari është aktivizuar pa të drejtë loje duke pretenduare se është bërë shkelje e nenit 50 të Rregullores së Garave.

Gjatë administrimit të provave KG ka konstatuar se: Ankesa është e ushtruar dhe e protokoluar me datë 16.05.2019, kurse e takësuar me datë 17.05.2019 konform nenit 71, paragrafi 2 të Rregullores së Garave.

Pas administrimit të të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se nuk kemi shkelje të nenit 50 dhe pretendimet nuk qëndrojnë për Komisionin e Garave dhe në asnjë dispozitë të Propozicioneve dhe Rregullores së Garave nuk i ndalohet lojtarit të juniorëve të aktivizohet në ekipin e seniorëve, andaj edhe ankesa e KF “Trepça ‘89” refuzohet si e pabazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, KF “Drita” – KF “Flamurtari”, 1-2.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. /Telegrafi/