Telegrafi

FFK deklarohet lidhur me raportimet për postin e trajnerit të Kosovës U-21

(Foto: ffk-kosova.com)

Pas raportimeve në media se Shefki Kuqi mund të angazhohet në postin e trajnerit të Përfaqësueses së Kosovës U-21, Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me deklaratë lidhur me këtë çështje.

“Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me raportimet e fundit në media se Shefki Kuqi do të jetë përzgjedhës i ri i Kombëtares U21. Deri më tash Komiteti Ekzekutiv ende nuk është mbledhur për të analizuar punën e ekipeve kombëtare zinxhirë dhe për të diskutuar rreth ndryshimeve eventuale”.

“Fillimisht do të kërkohet raporti i punës nga menaxherët e ekipeve kombëtare dhe më pas do të ftohen për bisedë trajnerët e secilës grupmoshë. Sigurisht se aty ku vlerësohet se është e nevojshme të ketë ndryshime do të ndërmerren hapat e duhur, por tash për tash nuk është zhvilluar asnjë takim me asnjë prej emrave që përmenden në media”.

“Është e vërtetë që Shefki Kuqi ka shprehur interesim për të dhënë kontributin e tij për futbollin e Kosovës, por krahas tij janë edhe 7-8 emra tjerë që po ashtu kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare dhe KE i FFK-së do të analizojë mirë çdo gjë para se të vendosë për hapat konkret”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ndryshe, në media ishte spekuluar se Federata e Futbollit e Kosovës nuk do t’ia vazhdojë kontratën trajnerit aktual të Kosovës U-21, Rafet Prekazi dhe se në vendin e tij pritet të angazhohej ish-sulmuesi shqiptar që e ka përfaqësuar Finlandën gjatë karrierës së tij.