Kanë kaluar mbi dy muaj nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive për shkak te koronavirusit.
Kur në të gjitha vendet e botës po merret vendimi për rifillimin e ligave, e sidomos edhe në Ballkan ku së fundmi është Shqipëria që ka vendosur me tre qershor që të rifillojë kampionati i Superiores, ndërsa në Kosovë jemi ende të një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Shqipëri është vendosur data e saktë për rinisjen e kampionatit të Superiores kur pritet që të rifilloj me tre qershor, por në Kosovë ende nuk është marrë një vendim nëse do të luhet apo jo kampionati.
Por sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu në një intervistë për “Zërin” ka mohuar që do të penalizohen klubet nëse nuk luhet kampionati.
“Jo nuk qëndron kjo tek ne. Nëse shteti vendos që mos të zhvillohet kampionati, atëherë UEFA nuk na ndëshkon”, ka thënë Salihu.
Ai beson se deri ditën e premte ata do të marrin lajmin përfundimtar nëse do të kemi kampionat apo jo.
“Ne po presim dhe po besojmë që deri te premten Institui Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë do të na japin verdiktin përfundimtar nëse do të mund të nisim apo jo”, ka përfunduar Eroll Salihu.
Federata e Futbollit e Kosovës është në pritje të lejimin të fillimit të stërvitjeve të klubeve qysh në fazën e dytë të lehtësimit të masave (nga 18 maji), në mënyrë që kampionati të nisë me 1 qershor.
Çdo datë tjetër duket se është vonë dhe nuk do të mund t’i përmbushin afatet e dhëna nga UEFA e cila parasheh që garat të mbyllen me 20 korrik.
Në Superligën e Kosovës kanë mbetur për tu zhvilluar edhe 11 xhiro.