Site icon Telegrafi

Fetai: E rëndësishme të miratohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë, të merret mendim nga Komisioni i Venecias

Është me rëndësi që përfundimisht të miratohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë, i cili rregullin kushtetues do ta shndërrojë në obligim ligjor me mekanizma kontrollues. Një gjë e tillë ka munguar deri më tani, ndërsa me “balancuesin”, për të cilin e dimë se është keqpërdorur shumë dhe nuk ka mundësuar përfaqësim të drejtë, konsideron zëvendëskryeministrit përgjegjës për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai.

Ai në konferencën e sotme për shtyp me rastin e 100 ditëve të Qeverisë së, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse pajtohet që Ligji për Përfaqësim të Drejtë të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias sipas kërkesës së kryeministrit, u përgjigj se është praktikë ndërkombëtare të merret mendim nga Komisioni i Venecias.

Ai është i mendimit se ngrirja e “balancuesit” nuk do t’i pengojë punësimet e reja.

“Përfaqësimi i drejtë është pjesë e Kushtetutës. “Balancuesi” ishte një mjet digjital i cili mundësonte  relizimin e planeve vjetore për punësim. Ngrirja e “balancuesit” është derisa të gjejmë një zgjidhje të re ligjore. Kjo nuk do t’i pengojë punësimet. Do të ketë punësime sipas rregullit kushtetues të përfaqësimit të drejtë, siç tha edhe kryeministri. Për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë është folur prej vitesh. Unë jam një nga ata që në kuadër të partisë sime Aleanca për Shqiptarët e ka hartuar këtë prpçozim-ligj me ekspertë ndërkombëtarë”, tha Fetai.

Ai shtoi se Komisioni i Venecias është një mekanizëm i cili mundëson të sjellim një zgjidhje që do të përshtatet me praktikat ndërkombëtare të Këshillit të Evropës. Gjithashtu,  potencoi se procesi i miratimit të Ligjit do të jetë transparent, do të përfshihen ekspertë, qytetarë, shoqëria civile.

“Praktika ndërkombëtare është që të merret mendim nga Komisioni i Venecias. Për këtë ligj flitet prej vitesh. Ligji është 22 vjet me vonesë. Duhet të ishte miratuar në momentin kur miratuam amendamentin 6 të Kushtetutës. Por, është e rëndësishme që procesi të fillojë. Do të përfshihen ekspertë, qytetarë, shoqëria civile dhe mediat. Procesi do të jetë transparent dhe të gjithë do të kenë mundësi të japin mendimin e tyre për të gjetur zgjidhjen më të mirë ligjore për realizimin e të drejtës kushtetuese”, shtoi Fetai.

I pyetur nëse ka një kornizë kohore se kur do të miratohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë, Fetai tha se nuk mund të flasë për data, por ka vullnet politik për fillimin e procesit. Sipas tij, mënyra më e mirë është që Ligji të miratohet në Kuvend me konsensus.

Në pyetjen e një gazetarëve nëse i dëgjon rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK), Fetai u përgjigj se e mbështesin punën e këtij institucioni, i pranojnë raportet e tyre dhe i ndjekin rekomandimet e tyre.

“Kam kontakte të vazhdueshme me anëtarë të Antikorrupsionit. Marrim pjesë aktive në hartimin e Ligjit të ri kundër korrupsionit dhe mbështesim politikisht punën e këtij institucioni. Kuptohet, i pranojmë raportet e tyre dhe ndjekim rekomandimet e tyre. Si zëvendëskryeministër dhe si pjesë e koalicionit, mund të them se të gjithë jemi të interesuar të dëshmojmë se qeveria jonë është reformiste, e përkushtuar ndaj shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. Do të shihni që për herë të parë do të ketë një ndryshim në qasjen e financimit të institucioneve kundër korrupsionit. Si Qeveri jemi të interesuar që të investojmë më shumë resursev buxhetore në të gjitha institucionet kundër korrupsionit”, shtoi Fetai.

Exit mobile version