Site icon Telegrafi

Fetahu e njofton Çekun me aktivitetet e FBK-së, premtohet thellimi i bashkëpunimit mes dy palëve

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku janë pritur nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Hajrulla Çeku dhe u.d. Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Ibër Alaj.

Kryetari Fetahu e ka njoftuar Ministrin Çeku për aktivitetet e FBK-së për vitin 2021, si dhe për miratimin e Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025, së fundi edhe nga Kuvendi i Punës i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

I pari i basketbollit të Kosovës po ashtu e ka njoftuar Ministrin Çeku edhe me ecurinë e projektit të Ligës Unike, Final 8 të organizuar, si dhe garat që pritet të fillojnë në kuadër të kësaj lige në formë të edicionit të rregullt që nga shtatori i këtij viti.

Numri një i FBK-së gjithashtu ka kërkuar nga MKRS mbështetje për implementimin e këtij projekti mbarëkombëtar, i cili krahas garës seniore në konkurrencën e meshkujve, pritet të fillojë edhe atë në konkurrencën e femrave dhe në garat e të rinjve, si dhe me bashkëpunime në nivele të ndryshme me dy shtetet.

Në anën tjetër Ministri Çeku e ka përgëzuar kryetarin Fetahu dhe FBK-në për të arriturat e deritashme, duke ju dëshiruar suksese në vazhdim, si dhe ka premtuar se MKRS do të vazhdojë të mbështesë FBK-në në implementimin e aktiviteteve vendore e ndërkombëtare.

Kryetari Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme Dushku e falënderuan Ministrin Çeku për kohën e ndarë dhe në të njëjtën kohë premtuan se së bashku me gjithë komunitetin e basketbollit do të vazhdojnë të punojnë në avancimin e sportit kosovar në përgjithësi.

Exit mobile version