Edicioni i tretë i Festivalit “Newborn” Kosova është hapur të premten në Podujevë. Ansamble të këngëve dhe valleve të nëntë shteteve të botës kanë ofruar një performancë të jashtëzakonshme nëpër qytetin e Podujevës me valle e këngë tradicionale të vendeve që përfaqësojnë.
Nga mesdita rreth 300 pjesëmarrës nga këto vende, të ndarë në grupe dhe të shoqëruar edhe nga vullnetarë llapjanë, kanë vizituar qytetin e Podujevës, përfshirë Galerinë e Arteve në qytet.
Pasditja ka nisur me defilimin e tyre nga Shkolla “Ibrahim Rugova” nëpër Bulevardin e Qytetit, ku edhe gjatë kësaj kohe, nëpërmjet valleve të tyre kanë shfaqur një kolorit të pasur kulturor e artistik për qytetarët e Podujevës.
Shfaqja kryesore është dhënë në Sheshin “Katër Dëshmorët”, aty ku është bërë edhe hapja e këtij Festivali të sivjetmë, e që në Podujevë mbahet në kuadër të Manifestimit “Ditët e Diasporës”. Aty ansamblet e këngëve dhe valleve të Sllovenisë, Turqisë, Kroacisë, Spanjës, Meksikës, Lituanisë, Ukrainës, Çekisë dhe Rumanisë, para të pranishmëve kanë shfaqur talentin e tyre të këngëve e valleve tradicionale.
Hapjen zyrtare të “Newborn Kosova” e kanë bërë drejtoresha e Festivalit, Zymrije Graiçevci dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Kryetari Bulliqi tha se jemi shumë të lumtur që i kemi vallëtarët nga nëntë vende të ndryshme të botës sot në Podujevë, me veshjet e tyre tradicionale duke performuar para publikut llapjanë.
Për më shumë se dy orë, deri pas orës 22:00, qytetarët e Podujevës kanë përjetuar shfaqje të jashtëzakonshme.
Kryetari Bulliqi për shtetet pjesëmarrëse ndau nga një dhuratë dhe mirënjohje në shenjë respekti për performancen e tyre në Podujevë, poashtu edhe anasamblet e shteteve kishin përgatitur nga një dhuratë për kryetarin Bulliqi.
E më pas, deri pas mesnate, përfaqësuesit e këtyre nëntë shteteve janë argëtuar në After Party-n e organizuar për ta.
Ky Festival do të vazhdojë rrugëtimin e tij edhe në tri komuna tjera, por që hapjen zyrtare e ka bërë në Podujevë. /Telegrafi/