Site icon Telegrafi

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga 25 deri më 28 maj 2022 në Beograd

Edicioni i nëntë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të hapet më 25 maj në orën 18:00 me ekspozitën e titulluar “Gjithë lotët tanë”, ndërsa programi i festivalit do të vazhdojë deri më 28 maj në disa lokacione në Beograd.

Organizuar nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Iniciativat Qytetare dhe ForumZFD, edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bashkojë artin dhe kulturën bashkëkohore me disa nga çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen e shoqërive në Kosovë dhe Serbi.

Edicioni i këtij viti do të hapet të mërkurën, më 25 maj, me ekspozitën e titulluar “Gjithë lotët tanë”, e cila do të qëndroj e hapur deri më 1 qershor në Endžio Hub (Dobračina 4). Edicioni i nëntë i festivalit do të fillojë me një paraqitje të përjetimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të luftës, pasi tani më shumë se kurrë konsiderojmë që është e rëndësishme të dëgjojmë zërat e tyre për të kuptuar se paqja është e vetmja rrugë e sigurt përpara.

Ceremonia e hapjes së festivalit do të bëhet më 26 maj në orën 18:00, në oborrin e Qendrës për Dekontaminim Kulturor (CZKD), pas së cilës të gjithë të ftuarit do të kenë mundësi të shohin shfaqjen teatrore “Stiffler”, rrëfim ky për një shoqëri që përdor moralin si kriter për shfaqje të njerëzisë e ofrim të ndihmës.

Fokusi kryesor i programit të debatit të festivalit në këtë edicion do të jetë qasja e shoqërive të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë, si dhe kujtesa kolektive dhe dokumentimi i përvojave të burgosurve politikë të ‘Goli Otokut’, një burg ishullor i kohës jugosllave.

Shfaqja e filmit ‘Zgjoi’ të regjisores Blerta Basholli do të bëhet më 28 maj në ora 20:00 në Arkivën e Filmit Jugosllav (Uzun Mirkova 1). Filmi ‘Zgjoi’ fitoi tri çmime kryesore në festivalin Sundance dhe u përzgjodh në listën e ngushtë për Oscar si filmi kandidat i Kosovës për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit për vitin 2021 (Oscars).

Një ngjarje tjetër që do të jetë pjesë e edicionit të këtij viti të festivalit është koncerti i këngëtarit të njohur kosovar Shpat Deda, i cili do të mbahet më 27 maj në Qendrën Kulturore Hebreje “Oneg Shabat” nga ora 21:00.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas dhe të gjithë janë të mirëseardhur!

Exit mobile version