Dita Ndërkombëtare e Matematikës është një festë mbarëbotërore.
Ka kohë që 14 marsi shënohet si Dita e Numrit π (pi) në ShBA. Arsyeja pse pikërisht kjo datë ishte zgjedhur ka të bëjë me vlerën e përafërt (3.14) të numrit π, si dhe faktit që në ShBA datat shënohen duke e shkruar së pari muajin (3) e pastaj ditën (14) .
Kujtojmë që në vitin 2019, UNESCO-ja e miratoi 14 marsin si Ditën Ndërkombëtare të Matematikës.
Për ta shenjuar këtë ditë, tashmë në vendin tonë është viti i tretë me radhë që Instituti për Promovimin e Metodës Shkencore – mbështetur nga shtëpia botuese “Dukagjini” – organizon aktivitete të ndryshme në qytetin e Prishtinës.
Gjithë qëllimi i këtij aktiviteti shenjues është të rritet hapësira publike ku diskutohen matematika, shkencat dhe arsimi në Kosovë. Përmes këtij “festivali”, te fëmijët nxitet kreativiteti dhe po ashtu rritet motivimi për t’u marrë me shkenca natyrore.
IPMSh-ja fton të gjithë të festojnë matematikën, artin dhe krijimtarinë, duke shfaqur harmoninë e logjikës me imagjinatën, ku numrat kërcejnë e hedhin valle me ngjyrat.
Projektet e tilla ndërlidhin matematikën me artin, fusha që mund të duken të ndara, por fillimisht ishin të ndërthurura, të dyja duke kërkuar, në mënyrën e tyre, të vërtetën në natyrë.
Jua rikujtojmë tri kategoritë pjesëmarrëse në festival:
1.Veprat e artit, vetëm për nxënësit e klasave 6-9 të Prishtinës nga gjashtë nxënës maksimumi;
2.Video deri në dy minuta (“sikur të isha mësimdhënës, ja si do ta shpjegoja matematikën…”), e hapur për të gjithë.
3.Video deri në tri minuta (nga mësimdhënësit e matematikës, ku tregojnë se pse e kanë zgjedhur profesionin e tyre), e hapur për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar.
Veprat/videot do të do të dorëzohen dhe shpërndahen në rrjete sociale. Adresa: https://www.facebook.com/DitaeMatematikes
Shpërblimet e ndara: Për secilin prej tri aktiviteteve nga 200 + 150 + 100 euro për tri vendet e para.
Kujdes: Këto aktivitete përshtaten pikërisht me konceptin e Festivalit të Matematikës, assesi me atë të garës!
Afati i fundit për t’i dërguar punimet është 11 marsi.
Pas përzgjedhjes dhe vlerësimit, veprat do të ekspozohen në hapësirat e Shkollës “Meto Bajraktari”.
Çmimet do të ndahen më 14 mars 2025, në një ceremoni që e shenjon Ditën e Matematikës në Kosovë.