Telegrafi

Festivali “GoEast” në Gjermani shpërblen me çmimin special të jurisë filmin shqiptar “Nëntori i ftohtë”

Festivali i madh i filmit “GoEast”, i cili u zhvillua në Wiesbaden të Gjermanisë, nga data 10 deri më 16 gusht, ka shpërblyer me një nga çmimet e mbrëmjes edhe një film kosovar.

Është ky filmi “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, që është nderuar me çmimin special të jurisë.

Çmimi Special i Jurisë në festivalin e filmit “GoEast” në Gjeermani, i dhurohet filmit “Nëntori i ftohtë” (Foto: Fatmir Spahiu/Facebook)

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur aktori i njohur kosovar, Fatmir Spahiu, përmes një postimi në Facebook, ku ka prezantuar ndër të tjerash edhe mirënjohjen e marrë nga ky festival.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që nga festivali i jashtëzakonshëm ‘goEast’ në Wiesbaden, Gjermani, kthehemi me çmimin special të jurisë për filmin “Cold November”. Ky është çmimi i tretë për filmin deri tash. Urime ekipit”, ka shkruar Spahiu në Facebook.

Tematika e filmit “Nëntori i ftohtë” është një ngjarje e cila zhvillohet në fillim të viteve 90-të, në kohën e Qeverisë Jugosllave e cila e anuloi autonomin e Kosovës, shpërndau parlamentin dhe mbylli Televizionin Publik të Kosovës. /Telegrafi/