Site icon Telegrafi

Festivali i filmave malorë BANFF, sërish në Prishtinë

BANFF Kosovo, festivali i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, vjen në Kino Amata nga BANFF Centre Mountain Film Festival në Kanada me një përzgjedhje filmash që kanë për qëllim të promovojnë sportet malore, aventurën në natyrë, çiklizmin, çështjet mjedisore, fuqizimin e gruas në sportet malore si dhe sfidat njerëzore në ekspedita të rralla natyrore.

Në edicionin e katërt, BANFF në Kosovë shfaq pa pagesë një program prej 15 filmash të shkurtër të ndarë në RED dhe BLUE Programme, që do të shfaqen përgjatë dy ditëve, me 10 dhe 11 tetor nga ora 19:00 në Kino Armata.

“Si pjesë e këtij edicioni të BANFF Kosovo, sjellim udhëtime nga vende të largëta, sfida njerëzore në ekspedita të rralla, tregime të sporteve ekstreme, adrenalinë dhe pafund energji, në një përvojë të jashtëzakonshme kinematografike. Kjo përzgjedhje filmash për shfaqje në Prishtinë, ka për qëllim inspirimin dhe motivimin tonë për ta dashur dhe respektuar natyrën si dhe mundësinë fantastike për aventura të përbashkëta në Kosovë dhe kudo nëbotë” – është shprehur Drejtori i BANFF Kosovo, Besnik Shala.

‘RED Programme’ që shfaqet me 10 tetor, hap edicionin e sivjemë të BANFF me filmin ‘Tempo II – Movements in Jungle’ një kërkim konceptual për ndjenjën e përbashkët të muzikës dhe maleve. Tutje në program shfaqen edhe gjashtë filma të tjerë. Kjo natë përmbyllet me filmin ‘Balkan Express’, një film dokumentar i shpërblyer i cili përcjellë dy alpinistë gjerman teksa eksporojnë shtigjet e skijimit në Ballkan, malet e Sharrit, male të tjera ballkanike si dhe njohjet e tyre me komunitetet e rajonit.

Me 11 tetor në ‘BLUE Programme’ do shfaqet një përgjedhje tjetër prej 8 filmash, mes tyre filmi ‘Në ruajtje të akullnajave’ që prezenton misionin e një shkencëtari dhe ekipit të tij për evitimin e shkrirjes së akullnajave në Alpet Zvicerane.

Të 15 filmat që do të shfaqen në Kino Armata nga ora 19:00 dhe janë produksione të vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Kanadanë, Gjermaninë, Amerikën, si dhe vende tjera nga mbarë bota.

BANFF Mountain Film Festival organizohet në BANFF (Alberta) të Kanadasë çdo vit që nga viti 1976 dhe Prishtina është për katërtën herë nikoqire e këtij festivali.

Kjo ngjarje kulturore, e artit, sportit dhe aventurës, organizohet nga Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC), Embassy of Canada to Croatia, RED BULL, Sustainable Development Goals, Gagi Print dhe Kino Armata. Festivali është pa pagesë andaj për të siguruar ulësen sygjerohet arritja e hershme në kinema.

Exit mobile version