Site icon Telegrafi

Festivalet kulturore nuk përkrahen sa duhet nga komunat

Në këtë debat u ngritën shumë probleme që po i hasin festivalet dhe se komunat e Kosovës nuk e dinë se sa fitimprurës janë këto festivale.

Drejtoresha e “ChopinFest”, Besa Luzha, ka thënë se përkrahja e komunës së Prishtinës nuk është e mohueshme, por që sipas saj, atyre ju duhet më shumë përkrahje në aspektin e infrastrukturës pasi që ata po përballen me shumë pengesa serioze.

Ndërsa Eroll Bilibani, nga DokuFest, është shprehur se Komuna e Prizrenit injoron jo vetëm DokuFestin por edhe aktiviteteve të tjera të cilat bëhen në Prizren.

Drejtori i “JazzFestival”, Ilir Bajra, ka deklaruar se kohëve të fundit po vërehet një interesim më i madh i komunës së Prishtinës, por sipas tij, ajo çfarë u duhet më shumë atyre nuk janë mjetet financiare, por përkrahja në mënyra tjera dhe krijimi i hapësirave.

E drejtoresha e festivalit “Skena Up”, Hana Qena, ka thënë se ata gjithmonë e kanë pasur përkrahjen e Komunës, por ajo që është shumë shqetësuese për të, është mosinteresimi i studentëve të fakultetit të arteve për këtë festival që, sipas saj, është shumë i rëndësishëm për ta.

Qena, po ashtu tha se në krahasim me edicionet e tjera, në këtë vit ka pasur interesim më të madh të qytetarëve.

Në këtë takim ishte i ftuar edhe Shpend Ahmeti, i cili nuk ishte i pranishëm për shkak se ndodhej në një udhëtim.

Përndryshe, sot (e diel) bëhet ceremonia përmbyllëse e edicionit të 12-të të “Skena Up”, ku edhe do të ndahen çmimet për fituesit e këtij festivali. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version