Telegrafi

Festim Alidema më i miri i xhiros së 14-të në Albi Mall Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.

Çmimi i më të mirit për javën e 14-të i ka takuar futbollistit të KF Llapi, Festim Alidema.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Tahir Morina, Ilmi Mehmeti dhe Seladin Jerliu.

Festim Alidema u vlerësua më meritori për fitoren që skuadra llapjane e realizoi ndaj lideres së renditjes, Dritës, me rezultat 4:1.

Në fakt, Alidema pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke qenë kreator i lojës së LLapit dhe asistues në tre gola për bashkëlojtarët e tij.

Çmimin “Ylli i Javës” për Alidemën e ndau Valon Topalli, zv.menaxher në Albi Mall.

E pas marrjes së çmimit futbollisti i llapjanëve u shpreh falënderues për vlerësimin, teksa theksoi se skuadra e tij do të vazhdojë të punojë në realizimin e objektivave të këtij edicioni.

“Çmimi ‘Ylli i javës’ është një motiv shtesë për mua që tashmë jam duke u rikthyer në formën time të mëparshme. Për këtë çmim meritorë janë edhe bashkëlojtarët dhe shtabi teknik, të cilëve u jam falënderues”.

“Llapi është duke e gjetur formën nga ndeshja në ndeshje dhe si gjithmonë edhe këtë edicion nuk do të dorëzohemi drejt synimeve tona”, tha Festim Alidema për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/