Site icon Telegrafi

Festat e fundvitit dhe shtatzënia

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër

Është vështirë që të jesh indiferente kur e ndjen erën e mishit të pjekur apo kur në tavolinë e sheh gjelin e detit, por keni kujdes dhe mos hani shumë!

Mos harroni se tash kur jeni shtatzënë duhet të hani shpesh dhe në racione të vogla. Nëse hani shumë atëherë mund të keni urth, mund të ndjeni djegie prapa dërrasës së gjoksit dhe të keni një shije të keqe në gojë. Organizmi juaj ka nevojë për ujë, prandaj vazhdoni të pini ujë në sasi të mjaftueshme.

Vazhdoni që të jeni aktive! Çdo ditë ecni në ajër të pastër. Nëse jeni aktive jo vetëm se do të ndjeheni më mirë dhe më e relaksuar, por kjo ju ndihmon që të jeni më e përgatitur për lindje.

Në kohën e festive gjithmonë i bëjmë dhurata njëri tjetrit. Edhe tash ju mund të keni dëshirë që të dilni në shoping dhe të blini dhurata për më të dashurit tuaj. Ndonjëherë kjo mund të jetë shumë e lodhshme, prandaj mos u sforconi shumë duke vrapuar prej punës nëpër dyqane dhe pastaj në shtëpi! Askush nuk do t’ju shoh për të madhe nëse këtë herë nuk merr ndonjë dhuratë prej jush.

Në këtë kohë festash të gjithë jemi në lëvizje, e zbukurojmë bredhin, blejmë dhurata, planifikojmë se ku të shkojmë natën e parë e ku natën e dytë të Vitit të Ri, por ju jepni pushim vetes. Shtrihuni dhe pushoni! Shtatzënia shoqërohet ndonjëherë me lodhje dhe plogështi, prandaj shtrihuni dhe pushoni. Mos harroni se vitin e ardhshëm, në festat e fundvitit, kur bebja do të jetë vetëm disamuajshme do ta keni shumë më vështirë që të pushoni.

Lexoni ndonjë libër dhe mos harroni që të lexoni këshillat për shtatzëninë.

Komunikoni me mjekun tuaj për çfarëdo shqetësimi që mund të keni. /Telegrafi/

Exit mobile version